Dje me nxënësit e eko klubeve të shkollave të mesme të Gjilanit vizituam Parkun e Erës në Shalë të Bajgorës – një udhëtim drejt një të ardhmeje të qëndrueshme!
Moti i ftohtë nuk ndaloi entuziazmin e të rinjve të shkollave të Gjilanit për të parë për së afërmi krijimin e energjisë elektrike nga burime të ripërtritshme. Anëtarët e eko klubeve të 6 shkollave të mesme të komunës së Gjilanit patën mundësinë të shohin Parkun e Erës me 27 turbina, ku secila prej tyre prodhon 3.8MW energji elektrike. Fuqi kjo e mjaftueshme për të furnizuar me rrymë elektrike rreth 1900 shtëpi me shpenzime mesatare të energjisë elektrike. Për të parë nga afër si këto turbina prodhojnë energji të pastër dhe të ripërtritshme ishte një eksperiencë frymëzuese për rininë tonë në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Eksplorimi nuk përfundoi këtu! Ata gjithashtu patën mundësinë të hulumtojnë edhe botën fascinuese të kristaleve në Muzeun e Kristaleve të Kosovës “Trepca”. Duke eksploruar bukurinë dhe rëndësinë e këtyre mrekullive natyrore, thelluan edhe më shumë vlerësimin për pasuritë e tokës nën këmbët tona.
Ky udhëtim ishte një mundësi e edukimit dhe përvojës në formimin e kuptimit për një botë më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.
**Kjo vizitë u mundësua në kuadër të projektit #YENI realizuar nga Caritas-i Zviceran në Kosovë me bashkëfinancim nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.