Programi i Organizates
- Ballina
- Programi i Organizates

QEVERISJE E MIRË
Parimet kryesore të qeverisjes së mirë janë përfshirja qytetare, transparenca, llogaridhënia e institucioneve publike dhe efikasiteti i qeverisjes. Qeverisja e mirë është një mënyrë për të matur se si institucionet publike kryejnë punët publike dhe administrojnë burimet publike në mënyrë të duhur. Ajo paraqet procesin e vendimmarrjes dhe procesin me të cilin vendimet zbatohen ose nuk zbatohen.
Qëllimi i programit Qeverisje e Mirë është avancimi i qeverisjes së mirë nëpërmjet monitorimit të punës së institucioneve lokale në zbatimin e politikave dhe programeve publike lokale me fokus në ato politika që ndërlidhen drejtpërsëdrejti me parimet e qeverisjes së mirë dhe mbrojtjes së mjedisit.
Projektet nën këtë program janë të përqendruara në zhvillimin e hulumtimeve të pavarura, analizave, avokimit për politika dhe praktika cilësore, rrjetëzim dhe ndërtim të koalicioneve si dhe ngritje të aktivizmit qytetar. Nëpërmjet këtyre projekteve synohet të arrihet dialog konstruktiv midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve, politika adekuate që pasqyrojnë nevojat reale të qytetarëve, zbatim efikas të tyre, qytetari aktive, ngritje të performancës së institucionevelokale e kështu të arrihet cilësia e mirë e jetës së qytetarëve.
ZHVILLIM I QËNDRUESHËM MJEDISOR
Zhvillimi i qëndrueshëm nënkupton një zhvillim që plotëson nevojat e së tashmes pa cenuar aftësinë e brezave të ardhshëm për të përmbushur nevojat e tyre. Sipas këtij parimi, projektet e shtyllës së zhvillimit të qëndrueshëm mjedisor janë të fokusuara në nevojat aktuale dhe ato të së ardhmes.
Qëllimi i këtij programi është avokimi për orientimin e politikave lokale dhe qendrore në atë mënyrë që të sigurojë qëndrueshmëri dhe të pasqyrojë problemet aktuale mjedisore duke pasur në mendje edhe problemet në të ardhmen.
Programi i Zhvillimit të Qëndrueshëm Mjedisor është i përqendruar në zhvillimin e projekteve për shqyrtim të hollësishëm të politikave aktuale publike, krahasimi i tyre me politika ndërkombëtare, hartim të politikave publike alternative, ngritje të kapaciteteve për qëndrueshmëri, zhvillim të koncepteve për ekonomi qarkore si dhe mbështetje për institucionet lokale dhe qendrore.
EDUKIM DHE VETËDIJËSIM I PUBLIKUT
Edukimi është procesi i të mësuarit, përvetësimit të njohurive, aftësive,vlerave, moralit, besimeve dhe zakoneve. Rritja e ndërgjegjësimit të publikut është një rrugë e dyanshme, nxitë komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit në mënyrë që të përmirësojë mirëkuptimin e ndërsjellë, si dhe të mobilizojë komunitetet dhe gjithë shoqërinë për të sjellë ndryshimin e nevojshëm në
sjellje dhe qëndrime.
Programi Edukim dhe Vetëdijësim i Publikut është ideuar me qëllim të informimit të publikut mbi problemet mjedisore, të zgjerojë njohuritë e publikut të gjerë dhe të ndërrojë sjelljet dhe shprehitë në mënyrën e jetesës.
Rritja e ndërgjegjësimit të publikut përfshin krijimin e një fushate specifike me mesazhe për një çështje të veçantë. Projektet nën këtë program janë të fokusuara në hulumtimet e opinionit publik rreth perceptimit, njohurive,përvojave në fushën e mjedisit, informimin, edukimin dhe vetëdijësimin e publikut. Nga kjo shtyllë bëhet promovimi i standardeve ndërkombëtare; ekonomisë qarkore, organizimi i fushatave të vetëdijësimit të qytetarëve, edukimit të gjeneratave të reja, ofrimin e platformave online për edukim dhe promovimi i
mbrojtjes së mjedisit përmes rrjeteve sociale, edukim të rinisë, etj.