Sot kemi berë përurimin e sistemit për grumbullimin dhe përdorimin e ujit të shiut në SHFMU “Xheladin Gashi – Plaku” në Komoran, duke sjellë një zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme për menaxhimin e burimeve ujore në këtë komunitet. ![]()
Ky sistem mundëson kursimin e rreth 1 milion litra ujë të pijshëm në vit, duke ofruar një alternativë efikase për përdorim në pastrim dhe mirëmbajtje, si dhe duke reduktuar ndjeshëm përdorimin e ujit të pijshëm. I pajisur me 1228 metra rrjet ujitjeje dhe 8 rubinete me sensorë, sistemi shërben jo vetëm për nevojat e shkollës, por edhe si burim shtesë për ndërhyrje në raste emergjente, duke rritur kapacitetet e reagimit në zonë.
Përveç aspektit infrastrukturor, projekti përfshin edhe komponentë edukativë, duke angazhuar nxënësit dhe stafin në promovimin e praktikave të qëndrueshme dhe ndërgjegjësimin për kursimin e ujit, me synim që ky model të shtrihet edhe në komuna të tjera. ![]()
Falënderojmë për pjesëmarrjen e tyre Ministren e Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës znj. Fitore Pacolli, Kryetarin e Komunës së Drenasit z. Ramiz Lladrovci, përfaqësuesen e Ambasadës Zvicerane znj. Ardiana Efendija Zhuri, si dhe pjesëmarrësit e tjerë.
Ky projekt mbështetet nga Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K), Program i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i Qeverisë së Kosovës, i zbatuar nga SKAT (Zvicër) në konsorcium me Agjencinë Austriake të Mjedisit (EAA).




