Nga zbatimi në replikim – grumbullimi i ujit të shiut si një model për menaxhim të qëndrueshëm të resurseve ujore
Sot, Qendra për Edukim dhe Zhvillim Mjedisor (CEDE) organizoi eventin përmbyllës të projektit “Shi për Qëndrueshmëri”, duke shënuar përmbylljen e një iniciative që solli në praktikë një model të qëndrueshëm për grumbullimin dhe përdorimin e ujit të shiut në SHFMU “Xheladin Gashi – Plaku” në Komoran.

Gjatë eventit u prezantuan rezultatet e arritura përgjatë zbatimit të projektit, si dhe Dokumenti i Replikimit, një udhëzues praktik i përgatitur nga CEDE, i cili ofron rekomandime teknike, organizative dhe institucionale për komunat, shkollat dhe institucionet publike që synojnë të zbatojnë sisteme për grumbullimin dhe përdorimin e ujit të shiut. Dokumenti synon ta shndërrojë përvojën e fituar në Komoran në një model të zbatueshëm dhe të qëndrueshëm në nivel vendi.
Eventi vijoi me panelin diskutues “Nga sfidat te zgjidhjet: Menaxhimi i resurseve ujore dhe replikimi i modeleve të qëndrueshme në Kosovë”, nën moderimin e Fjollë Cakës, planere urbane dhe eksperte e ndryshimeve klimatike. Në panel morën pjesë Afrim Berisha, Kryeshef Ekzekutiv i AMMK-së, Arben Shala, Nënkryetar i Komunës së Drenasit, Afrim Gjeli, Komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Drenas, dhe Avdullah Nishori, ekspert i ujërave, duke diskutuar sfidat aktuale të menaxhimit të resurseve ujore, ndikimin e ndryshimeve klimatike, nevojën për përdorim më racional të ujit dhe rëndësinë e investimeve në zgjidhje të qëndrueshme që mund të aplikohen në nivel lokal dhe kombëtar.
Eventi mblodhi përfaqësues nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (Swiss Cooperation Office – SCO), institucioneve qendrore dhe lokale, partnerë të projektit, ekspertë të mjedisit dhe organizata të shoqërisë civile.
Projekti “Shi për Qëndrueshmëri” dëshmoi se grumbullimi dhe përdorimi i ujit të shiut nuk është vetëm një zgjidhje teknike, por një investim në qëndrueshmëri, në mbrojtjen e resurseve ujore dhe në ndërtimin e komuniteteve më të përgatitura për t’u përballur me sfidat e ndryshimeve klimatike.
Nga zbatimi në replikim – sepse çdo pikë ka rëndësi. ![]()
Ky projekt mbështetet nga Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K), Program i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i Qeverisë së Kosovës, i zbatuar nga SKAT (Zvicër) në konsorcium me Agjencinë Austriake të Mjedisit (EAA).
#CEDE#IWRMKosovo#SKAT#Watermanagementkosovo














