Sot, CEDE mbajti një takim koordinues me përfaqësues nga Drejtoria e Shërbimeve Publike të Komunës së Drenasit dhe Komandantin e Njësisë së Zjarrfikësve në Drenas, lidhur me përdorimin, mirëmbajtjen, raportimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit të grumbullimit të ujit të shiut, të instaluar në SHFMU “Xheladin Gashi – Plaku” në Komoran.
Gjatë takimit u diskutua edhe për përdorimin e aplikacioneve dhe pajisjeve mbështetëse, përfshirë aplikacionin Rain Bird për menaxhimin e ujitjes, si dhe sensorin për matjen e sasisë së ujit të disponueshëm, i cili do t’i shërbejë Njësisë së Zjarrfikësve në raste emergjente, duke mundësuar informim më të shpejtë për kapacitetin e ujit në sistem.
Ky koordinim synon të sigurojë që uji i grumbulluar të përdoret në mënyrë efikase, të mirëmbajtur dhe të qëndrueshme, në shërbim të shkollës, komunitetit dhe institucioneve lokale.
Ky aktivitet mbështetet nga Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K ), Program i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i Qeverisë së Kosovës, i zbatuar nga SKAT (Zvicër) në konsorcium me Agjencinë Austriake të Mjedisit (EAA).




